THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI
PËR HYRJEN NË PROVIMIN
E PRANIMIT NË TRAJNIMIN FILLESTAR
Në përputhje me ligjin nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” dhe pas administrimit të urdhrit nr. 406, datë 24.8.2022 të ministrit të Drejtësisë “Për përcaktimin e numrit të vendeve për kandidat përmbarues që do të pranohen në Programin e Trajnimit Fillestar pranë Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve për vitin 2022”, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, publikon Thirrjen për Shprehje Interesi për hyrjen në provimin e pranimit në trajnimin fillestar.
Numri i vendeve për kandidat përmbarues që do të pranohen në Programin e Trajnimit Fillestar pranë Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve për vitin 2022 është 15 kandidatë.
Kanë të drejtë të marrin pjesë në provimin e pranimit në trajnimin fillestar kandidatët që plotësojnë kushtet si më poshtë, referuar nenit 18, pika 3 të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”:
1) të jetë shtetas shqiptar;
2) të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
3) të ketë përfunduar programin e ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi brenda vendit, ose diplomë të njësuar me të, apo të ketë përfunduar studimet universitare për drejtësi jashtë vendit, të njohur dhe njësuar, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;
4) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë:
i) për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
ii) për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar dhe që cenon figurën dhe integritetin e profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat;
iii) për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën është rehabilituar, kur vepra penale cenon figurën dhe integritetin e profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat;
5) të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë.
Kandidati që kalon me sukses provimin e pranimit në programin e trajnimit fillestar pranohet për të ndjekur programin e detyrueshëm 1-vjeçar për trajnimin fillestar pranë Qendrës së Trajnimit, përkundrejt tarifës përkatëse.Shprehja e interesit duhet të depozitohet brenda datës 4.11.2022 në rrugë postare në adresën e selisë së Dhomës Kombëtare, “rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë”, shoqëruar me dokumentacionin si vijon:
1) Kërkesë për shprehje interesi, me arsyet përkatëse që mbështesin pjesëmarrjen në këtë provim;
2) Jetëshkrim;
3) Kopje e kartës së identitetit;
4) Kopje e njehsuar e diplomës që vërteton përfundimin e programit të ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi brenda vendit, ose të diplomës së njehsuar me të, apo të diplomës që vërteton përfundimin e studimeve universitare për drejtësi jashtë vendit, të njohur dhe njësuar, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;
5) Certifikatë e gjendjes gjyqësore, e muajit në të cilin bëhet aplikimi;
6) Kopje e njehsuar e librezës së punës dhe vërtetimeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që vërtetojnë vjetërsinë në punë;
7) Vërtetim nga punëdhënësit që nuk janë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë.
Kandidatët që përmbushin kushtet për t`u pranuar në provim, do të njoftohen përmes publikimit të listës emërore në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, brenda 10 ditëve nga mbyllja e afatit të aplikimit.
Provimi i pranimit në formimin fillestar, do të zhvillohet në datën 10.1.2023 duke filluar nga ora 10:00, pranë selisë së Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë (rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati II, Tiranë). Në varësi të numrit të aplikantëve që do të marrin pjesë në provim, do të afishohen ditën e provimit oraret fikse të zhvillimit të tij, sipas listave emërore.
Rregullat e detajuara për zhvillimin e provimit të pranimit, për kontrollin e njohurive dhe fusha e testimit, janë sipas përcaktimeve të urdhrit nr. 364, datë 31.5.2021 të ministrit të Drejtësisë “Për miratimin e “Programit të detyrueshëm për trajnimin fillestar”, publikuar edhe në fletoren zyrtare.
Kjo thirrje shpallet në buletinin e njoftimeve zyrtare, në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, sipas përcaktimeve ligjore si dhe në disa gazeta me tirazh më të lartë.
Për informacione të mëtejshme kontaktoni:
E-mail: dhomakombetarepermbarimit@gmail.com
Tel. 0676089890 / 0686054005