Trajnimi fillestar zhvillohet për nevojat e plotësimit të vendeve vakante me përmbarues gjyqësorë privatë që licencohen në këtë profesion.
Me synim për të garantuar dhe siguruar një numër të mjaftueshëm kandidatësh për plotësimin e vendeve vakante të përmbaruesve gjyqësorë privatë, çdo vit, sipas analizave të Dhomës Kombëtare, mund të pranohen në programin e trajnimit fillestar kandidatë për përmbarues gjyqësor privat, personat që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 16, të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në provimin e pranimit në trajnimin fillestar. Kandidati që kalon me sukses provimin e pranimit në programin e trajnimit fillestar pranohet për të ndjekur programin e detyrueshëm 1-vjeçar për trajnimin fillestar pranë Qendrës së Trajnimit.
Trajnimi fillestar zhvillohet nëpërmjet ndjekjes dhe përmbushjes së Programit të Detyrueshëm për Trajnimin Fillestar, sipas rregullave dhe kushteve për zhvillimin e provimit të pranimit, ndjekjes së lëndëve, respektimit të metodave të trajnimit, plotësimit dhe frekuentimit të moduleve ose kurseve të trajnimit, dhe respektimit të rregullave për kontrollin e njohurive në përfundim të trajnimit fillestar, si dhe rregullave dhe kushteve për lëshimin e vërtetimit për përfundimin me sukses të programit të trajnimit fillestar.
Kandidatët për përmbarues gjyqësor privat të cilët kanë kryer trajnimin fillestar dhe që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 16, të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” kanë të drejtë të regjistrohen pranë Ministrisë së Drejtësisë si ndihmëspërmbarues.